Prindërit e mi i bëjnë padrejtësi nuses sime

Esselamu alejkum hoxhë i nderuar. 

Allahu ju shperbleftë me të mirat e Tij!

Hoxhë i nderuar unë jam një djalosh i ri, i martuar elhamdulilah, kemi dy fëmijë, Allahu na i ruajt. Jetojmë në shtëpi me prindërit dhe vëllezërit qe katër vite, por kemi shumë probleme herë pas here mes prindërve të mi dhe nuses e në veçanti në mes nënës dhe nuses e cila dëshiron ta ketë atë si të bijën e saj e sidomos që unë nuk kam motër.

Nuk pretendoj se jemi të përsosur as unë e as nusja, ndoshta ndonjëherë kemi mangësi në disa gjëra që na duken të imëta, por ajo që më dhemb është se shpeshherë kur e kuptoj rastin e shoh se gabimi është tek prindërit kundrejt nuses sime, apo edhe tek unë sidomos kur unë nuk jam ai që mund të imponoj qëndrimin tim për çdo çështje që ka të bëjë me gruan pa marrë pëlqimin e prindërve, përndryshe mjerë për ne se çka na gjenë nëse i kundërshtojmë ata, sa që vie edhe deri te kërcënimi për përjashtim nga shtëpia dhe bojkotim.

Sikurse në rastet kura ata e ndalojnë gruan time t’i vizitojë të afërmit e saj, dhe nëse ajo shkon kjo konsiderohet mosrespekt ndaj tyre sepse nuk po sillet si të ishte bija e tyre të cilën e dëshirojnë. 

Dhe v’Allahi zemra më rrëqethet, nga ajo që ndodh, unë jam mes dy opsioneve ose të ballafaqohem me babën dhe t’ia them mendimin tim dhe se unë jam ai që vendosi për çështjet e gruas sime, ose ta pranoj qëndrimin e tyre me gjysmë zemre, edhe pse ata mund ti bëjnë padrejtësi nuses sime.

A e kam mëkat nëse i bëjë presion gruas sime për mirësjellje ndaj prindërve të mi dhe respekt ndaj tyre në çdo gjë dhe që ti përballojë ato vështirësi dhe lëndime që i shkaktojnë prindërit e mi.

Duke e ditur se ajo është ndikuar shumë kohën e fundit nga ankesat e shumta, si dhe unë ka mundësi që të pavarësohem në shtëpi tjetër qoftë edhe me qera, derisa të ma lehtësojë Allahu të ndërtojë diçka në tokën që kam, por unë nuk kam dëshirë që ti shqetësojë ata duke llogaritë në bamirësinë ndaj tyre, sepse unë di që ata nuk e dëshirojnë këtë. Pra a kam mëkat nëse për shkak të ikjes nga ngatërresat dhe problemet të largohem nga shtëpia e të jetoj vetëm me nusen, duke qenë ata të pakënaqur me daljen time nga shtëpia e familjes.

Më ndihmoni, Allahu u dhashtë çdo të mirë.

Përgjigjja

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, lavdërimi dhe shpëtimi i Tij qoftë për të dërguarin e Tij, familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e tij deri në ditën e Gjykimit

Ve alejkum selam ve rahmetullahi ve berekatuhu

Tekstet fetare që urdhërojnë respektin ndaj prindërve janë të njohura për çdo musliman. Respekti nuk kufizohet në raste të caktuara por është i përhershëm, madje edhe nëse prindërit janë idhujtarë ne jemi të obliguar të kemi respekt për ta dhe të jemi të sjellshëm me ta, por duke mos iu bindur atyre në gjërat që i ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Të drejtat e tyre janë të mëdha por e drejta e Allahut është edhe më e madhe.

Sa i përket pyetjes tuaj: e ke për detyrë të kërkosh nga nusja yte që të jetë më e butë dhe më e sjellshme me prindërit tu, e sidomos me nënën, sepse merita e saj është më e madhe se e babës. Duke pasë parasysh që prindërit u kanë bërë shumë mirë juve që ju kanë mundësuar të bashkëjetoni me ta në shtëpinë e tyre, andaj duhet që të përpiqeni që të jeni sa më të sjellshëm. Ajo që ndodhë ndonjëherë nga ashpërsia, vrazhdësia, ndoshta edhe padrejtësia ndaj jush, nuk ju takon tjetër vetëm se të bëni durim dhe ti përballoni ata duke shpresuar që Allahu t’ua shumëfishojë shpërblimin. Kujdesu që gruas tënde t’ia sqarosh se nuk ka zgjidhje tjetër ndaj tyre përveç durimit, dhe se ata janë të moshuar e ndoshta edhe ymrin nuk e kanë shumë gjatë, e për ne është më mirë të respektojmë Allahun me ta, dhe të përqëndrohemi në mirësjellje ndaj tyre derisa Allahu të zgjedhë më të mirën për të gjithë.

E nëse do të kishe mundësi që t’i bindësh prindërit – qoftë edhe me ndonjë ndërmjetësues- se është më e dobishme që ju të dilni nga shtëpia për të banuar vetëm, nuk ka gjë të keqe me kusht që kjo të jetë – marrja e pëlqimit- në situate të disponimit dhe rehatisë, e jo menjëherë pasi të ndodhin problemet, dhe të mos transferoheni nga shtëpia e prindërve derisa të ndjeni pajtueshmërinë e plotë të tyre.

Allahu ju dhashtë sukses!

Shejh AbdulHaj Jusuf

Përktheu

Hoxhë: Llokman Hoxha