RTV Pendimi
Kompania Ziel Bau
Samet Tours
Kuran - Tefsir

PËRQENDRIMI NË FE

Allahu, azze ue xhel, na njoftoi se Kuranin e zbriti për të përsiatur dhe për të vepruar me të: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”. Muhamed 24. Prandaj, duke iu bazuar këtij ajeti Kuranor në vazhdim me lejen e Allahut do të përsiasim një ajet prej ajeteve të Kuranit me qëllim që të nxjerrim mësime të dobishme prej tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”. Fusilet 30-32.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton thënien e Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë”, thotë: “Allahu në ajet i ka për qëllim ata që i vepruan veprat me sinqeritet për Allah dhe adhurimet ia përkushtuan vetëm se Atij sipas ligjeve të cilat i caktoi vet Ai”.

Zuhriju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ishte në mimber, lexoi këtë ajet e pastaj tha: Përqendrohuni në rrugë të drejtë duke e adhuruar Allahun me sinqeritet dhe mos i bëni dredhitë e dhelprës”.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Sufjan ibën Abdullah Thekafijut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili kishte thënë: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj në Islam një fjalë që të mos pyes për të askënd pas teje?” Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha:”Thuaj besova Allahun pastaj ndiq rrugën e drejtë”.

Robi nuk mund të jetë i përqendruar në rrugë të drejtë derisa veprat, thëniet dhe dëshirat e tij nuk janë në përputhshmëri me atë çka e ligjësoi Allahu dhe me atë çka erdhi Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty”. Hud 112. Allahu në ajet thotë përqendrohu në rrugë të drejtë “ashtu siç je i urdhëruar”, dhe nuk thotë përqendrohu sipas dëshirave të tua. Pra, i udhëzuar realisht konsiderohet ai që ndjehet krenar në vete dhe ecën ballëlart në rrugën e drejtë: “A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?”. Mulk 22.

Thënia e Allahut: “do t’u zbresin engjëjt” komentohet se njerëzve do tu zbresin melekët para vdekjes dhe atyre që ishin të përqendruar në fe do tu thonë : “mos u frikësoni” prej asaj çka do t’ju paraprijë prej çështjeve të ahiretit. Ahiretin e paraprijnë shumë tmerre dhe gjendje të vështira duke filluar këtu prej varrit dhe errësirës së tij, vetmisë së tij, shtrëngimit të tij, sprovës në të, pastaj fryrjes në Sur, vendqëndrimet e Ditës së Kiametit, kalimi nëpër Sirat, matja e veprave në Peshore, etj. Të gjitha këto tmerre e frika dhe gjendje të vështira Allahu do t’ua lehtëson atyre që ishin të përqendruar në fenë e Tij.

Thënia e Allahut: “dhe mos u pikëlloni” komentohet mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja, prej familjes, fëmijëve, pasurisë, se Ne do të jemi kujdestar i tyre.

Pastaj Allahu i përgëzon me shkuarjen e sherrit dhe ardhjen e mirësisë duke iu thënë: “Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij e shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët prezantojnë në momentin e vdekjes dhe nëse njeriu ka qenë i mirë, thonë: ”Dil o ti shpirt i mirë, ke qenë në trup të mirë. Dil falënderues dhe gëzoju aromës, bukurisë dhe Zotit Mirënjohës e jo Zemërues”.

Ibën Ebi Hatim, Allahu e mëshiroftë, transmeton nga një prej selefit se filloi ta lexon suren Fusilet prej fillimit deri sa kur arriti tek ajeti “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt”, u ndal dhe tha: Na është përcjellur se Allahu kur do ta ringjall besimtarin prej varrit të tij do ta takon me dy melekët që e shoqëronin në dynja dhe do t’i thonë mos u friko dhe mos u pikëllo. Allahu atë ditë do ta siguron prej frikës dhe do t’ia kënaq syrin, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë të frikësuar.

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Kur vjen meleku i vdekjes që t’ia merr shpirtin besimtarit i thotë: Zoti yt të dërgon selam”.

Muhamed ibën Kab thotë: “Meleku i vdekjes i thotë besimtarit: O ti mik i Allahut paqja e Allahut qoftë mbi ty, Allahu ty të dërgon selam, e pastaj lexoi ajetin: “të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”. Nahl 32.

Zejd ibën Eslem thotë: “E përgëzojnë melekët në momentin e vdekjes së tij, në varrin e tij dhe në momentin kur do të ringjallet”. Ibën Kethiri thotë se kjo thënie është shumë më e mirë, i bashkon të gjitha thëniet dhe kjo është realiteti.

Thënia e Allahut: “Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër” komentohet se melekët do tu thonë besimtarëve në momentin e vdekjes: Ne ishin miqtë dhe shokët e juaj në dunja që ju përkrahnim dhe kujdeseshim për ju me urdhrin e Allahut dhe poashtu do të jemi me ju në ahiret, do t’jua largojmë vetminë e varrit dhe ditës kur fryhet në Sur, do t’ju mbrojmë ditën e Ringjalljes dhe Llogarisë, do t’jua lehtësojmë kalimin e urës së Siratit dhe do t’ju dërgojmë e shoqërojmë deri në xhenetin e Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi. Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar”. Enbija 101-103.

Thënia e Allahut: “Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni” komentohet se besimtarët në xhenet do të kenë çdo gjë që e dëshirojnë shpirtrat e tyre dhe u kënaqen sytë e tyre edhe atë sa herë që e kërkojnë do tu sjellët para duarve të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: (Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë, hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja, ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë”. Zuhruf 68-71.

Dhe thënia e Allahut: “dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”, ky ajet komentohet, se të gjitha begatitë që do t’i fitoni në xhenet janë dhuratë dhe begati prej Zotit i cili i fali mëkatet e juaja, ishte i mëshirshëm dhe i butë ndaj jush, i fali gjynahet e juaja dhe i mbuloi ato.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu, azze ue xhel, thotë :”Kam përgatitur për robërit e drejtë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që e ka paramenduar zemra e njeriut”. Ebu Hurejra thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kuran: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”. Sexhde 17.

Prej ajeteve fisnike të cilat i përsiatëm mund t’i nxjerrim disa dobi:

1. Besimi dhe përqendrimi në fe janë dy shkaqe për hyrjen në xhenet.

2. Melekët e përgëzojnë besimtarin në momentin e vdekjes, në varrin e tij, në Ditën e Kiametit dhe para dyerve të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” Rad 23-24.

3. Punëtori duhet të përgëzohet me shpërblimin që e meriton, për shkak se kjo ia shton më tepër aktivitetin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin). Bekare 223.

4. Besimtarët futen në xhenet me meritën dhe mëshirën e Allahut, e jo si rezultat i veprave të tyre.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, të thotë: “Askënd nuk e fusin në Xhenet punët e veta”. Shokët e pyetën: “As edhe ti, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u përgjigj: “Jo, as mua, pos në qoftë se Allahu më dhuron Mirësinë dhe Mëshirën e Tij”.

5. Besimtarët kur do të hyjnë në xhenet do të marrin prej begative të tij çka tu dëshirojnë shpirtrat dhe çka do t’i kënaq sytë e tyre, madje do tu jepet edhe një tepricë e ajo është shikimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë”. Kaf 35 dhe “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër”. Junus 26.

E lus Allahun të më bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Related posts

LEXIMI I KUR’ANIT

Irfan Jahiu

MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

Kushtrim Guraj

NGA DOBITË E NXËNIES PËRMENDËSH TË KURANIT!!

Kushtrim Guraj

LEXIMI I KURANIT

Kushtrim Guraj

KËRKIMI I UDHËZIMIT ME KURAN

Kushtrim Guraj

MOS E HARRO KURANIN!!

Kushtrim Guraj

KJO FJALË KAQ HERË PËRMENDET NË KUR’AN

Kushtrim Guraj