Ndejat tona sipas sunnetit autentik

Ndejat tona (mexhliset) sipas sunnetit autentik: Rregulla dhe Udhëzime

Pasi që shum shpesh n’a rastisë të ndodhemi nëpër ndeja të ndryshme e pash të arsyeshme që t’a analizojmw këndvështrimin Islam rreth kësaj çështje duke sjellur disa udhëzime e rregulla dhe mënyrën se si duhet të sillemi në këto ndeja.

Fillimisht duhet të ceket se të shkuarit mysafir për vizitë dhe mikpritja janë të lavdëruara në Islam, bile në disa raste bëhet kjo edhe obligim (vaxhib) sikurse për ngushllime për të vdekurit ndaj familjarëve dhe të afërmve posaqërisht kur kjo është prej traditës, si tek ne.

Dhe muslimani është obliguar t’a nderoj dhe respektoj mysafirin,kjo është prej cilësive të njerëzve të ndershëm. Në hadithin, të cilin e transmeton Ebu Hurejra, i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem thotë :”Kush beson në Allahun dhe ditën e kijametit le t’a nderojë mysafirin” {Shënon Buhariu dhe Muslimi}

Dhe kjo është edhe prej të drejtës së vizituesit, siç  e gjejmë në fjalën e të Dërguarit sal-Allahu alejhi ve sel-lem drejtuar Abdullah ibn Amrit :”Me të vërtetë vizituesi yt ka të drejta ndaj teje” {Shënon Buhariu dhe Muslimi}

 

Fillimisht nikoqiri duhet t’i mirëpret mysafirët me buzëqeshje dhe me fjalë të ngrohta me të cilat ai i shpreh mirëseardhje.

Kur të hyjnë në mexhlis burrat, i  takon më të diturit dhe më të vjetërit të ulet tek kryevendi si shenjë respekti duke respektuar edhe traditën.

Është prej sunnetit që përshëndetja të jet dorë për dore dhe jo duke u përqafuar, përveçse atëherë kur kthehet prej udhëtimit apo pas një ndarje të gjatë. Kjo është nga sunneti dhe e preferueshme pra, ngase në këtë përshëndetjë ka edhe mirësi të mëdha siç transmetohet se i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem ka thënë:” Nuk  ndodhë që dy musliman të takohen dhe të përshëndetën dorë për dore përveçse atyre u janë falur gjunahet” ( Shënon Ebu Davudi dhe Shejh Albani e konsideron si të saktë)

Dhe dihet se kjo ka qenë një traditë e njohur mes sahabëve siç transmeton Katadeh i cili pyeti Enesin (radij Allahu anhu) :”A ka qenë përshëndetja dorë për dore praktikë tek sahabët e të Dërguarit (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) ?” Iu përgjigj: “Po!” {Shënon Buhariu}

Padyshim se duhet pasur kujdesë që në këto mexhlise të mos bëhet mëkat ndaj Allahut azze we xhel-l duke hyrë në gibet,fyerje, bartje fjalësh apo fjalë te kota e thashetheme etj. Çdo person i cili flet diçka prej këtyre gjërave duhet t’iu tërhiqet vërejtja dhe të këshillohet ngase i Dërguari (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) :”Ai që sheh nga ju një gjë të keqe le t’a ndryshoj me dorën e tij, nëse nuk mundet atëherë me gjuhën e tij (me fjalë) e nëse nuk ka mundësi atëherë me zemrën e tij e kjo është shkalla më e ulët e besimit” {Shënon Muslimi}

Secili që prezenton në ndejë duhet të kujtoj hadithin e të Dërguarit (sal-Allahu alejhi we sel-lem) të cilin e transmeton Ebu Hurejra:” Kush beson në Allahun dhe ditën e gjykimit le të fletë mirë apo le të heshtë!”  Ndërsa ai që dëshiron të flet duhet t’a përmirësoj nijjetin sepse përmirësimi i nijjetit është më i rëndësishëm se ajo çka flet ngase është e njohur dhe një realitet që vetëm fjalët të cilat dalin nga zemra arrijnë në zemër .Ka mundësi se një fjalë ndikon më shumë se një libër siç potencon dijetari Abdulaziz Tarifi. Dijetarët poashtu na kan udhëzuar që  të ket parasysh njeriu se kur flet të jet i sigurt që të folurit e tij të jet më e dobishme sesa heshtja e tij, përndryshe duhet të heshtë.

Hoxhallarët duhen t’a marrin përgjegjësinë që t’a këshillojnë xhematin dhe të flasin diç për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kjo nëse është prezent ndonjë Hoxhë e nëse nuk është aty ndonjë Hoxhë poashtu është shum e pëlqyeshme që të përmendet Allahu dhe i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) në këto mexhlise me kusht që të mos flitet rreth fesë së Allahut pa dije,mirëpo përkujtime të dobishme rreth saj dhe gjërat të ngjajshme me to nuk duhen të lihen anash ngase i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem thotë) :” Nuk është ulur ndonjë popull me ndonjë ndejë (mexhlis) në të cilën nuk  përmendin Allahun e as nuk përshëndetin të Dërguarin e tyre sal-Allahu alejhi ve sel-lem , përveçse kjo do të jetë humbje dhe pendim për ata, e nëse don Ai i falë e nëse don i dënon.” {Nga Ebu Hurejra, shënon Tirmidhiu}

Është e vërtetuar nga i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem se ai kërkonte falje në vetëm një mexhlis 100 herë here, siç transmeton Abdullah Ibn Umeri (radij Allahu anhu) i cili thotë :” I Dërguari (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) kërkonte falje në një mexhlis 100 herë para se të ngrihej nga ai tubim, duke thënë:” O Zoti im më fal dhe ma prano pendimin sepse Ti je Pranues i  pendimit dhe Falës i madh”

{Shënon Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh} Neve na takon që t’a ripërtrinjmë këtë sunnet të bukur.

Pastaj është mirë të ceket se nikoqiri nuk duhet t’i pyes mysafirët se a dëshirojnë për të ngrënë diçka apo jo, porse ai vetëm ia ofron atyre pa i pytur. Kjo ka bazë në kur’an kur Ibrahimi alejhisselam i ofroi mysafirëve të tij një viç të majmë (të pjekur) duke mos i pyetur ata fillimisht dhe pa i lajmëruar. Allahu subhaneh në kur’an thotë:” Dhe, pa u hetuar, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli viç të majmë (të pjekur), (26) e ua afroi atyre, e u tha: “A s’po hani?” (51:27)

Mysafiri duhet pastaj t’a thotë këtë lutje pwr nikoqirin I cili e nderoi me ushqim apo pije:” O Allahu im, ushqeje atë që më ushqeu mua dhe jepi të pijë atij që më dha të pi mua ” {Shënon Muslimi}

Poashtu mysafiri e bënë edhe këtë lutje për nikoqirin:” O Allahu im bekoji në atë që i ke furnizuar, falu mëkatet dhe mëshiroji ata.” {Shënon Muslimi}

 

Këtu ia vlenë të qartësohet mes’elja ështja) që nëse ndodhë se gjatë mexhlisit të hyjë dikush që gëzon autoritet dhe meriton të nderohet dhe respektohet,a duhet të ngritemi në këmbë apo jo? Si duhet reaguar në këtë rast?

Fillimisht duhet qartësuar se  kjo nuk është obligim mirëpo konsiderohet prej moralit dhe sjelljes së lartë nëse është me qëllim që t’a respektosh dhe nderosh atë që hyn, t’a ofrosh tek vendi dhe t’a përshëndetësh, si p.sh. prindërit,të shtyerin në moshë apo ndonjë të ditur etj. ngase i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) u çonte në këmbë për bijën e tij Fatimën për t’a mirëpritur dhe përshëndetur përzemërsisht kur e vizitonte ajo atë. Poashtu i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) i urdhëroi sahabët që të ngriten në këmbë për Sa’d Ibn Muadhin kur u kthye pas gjykimit të ‘benu Kurejdhas’ e poashtu Talha ibn Ubejdullah u ngritë në këmbë për Ka’b Ibn Malik duke qenë në mexhlisin e të Dërguarit sal-Allahu alejhi ve sel-lem kur Ka’bi u përgëzua me falje dhe pranim të pendimit nga Allahu dhe për shkak mosdaljes në luftën e tebukut. Talha e përshëndeti,ia dha dorën dhe e përgëzoi dhe i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem nuk e qortoi atë për këtë gjest.

E ndaluar apo e urryer në këtë çështje është të ngriturit për madhërimin e dikujt sikurse siç ngriten dhe çohen në këmbë tek Jomuslimanët ata që janë rreth mbretit duke qëndruar në shenjë madhërimi, siç na ka mësuar i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) realitetin e atyre, prandaj i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) urdhëroi sahabët që të ulen kur ai u fal ulur.

Pastaj lloji i rastit tjetër në të cilin nuk bënë të ngritet njeriu është kur hyn dikush ose del dhe ky person ngritet pa kurrfar arsye, as nuk ngritet për t’a përshëndetur e as për t’i folur, kjo nuk bënë dhe është e urryer. Poashtu nuk lejohet nëse një person e kërkon që t’iu ngriten tjerët duke qenë mendjemadh dhe duke parë veten më lartë se tjerët.

Sahabët nuk jan ngritur në këmbë kur hynte  i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ngase ai e urrente atë dhe ata e dinin këtë. Pra nuk lejohet që ai person që hyn t’a kërkon këtë gjest nga të tjerët apo të ndiet i ofenduar nëse ata nuk ngriten për të. I Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) thotë lidhur me këtë:” Kush dëshiron që të tjerët të ngriten për të le t’ia përgatit vetes një vendulëse nga zjarri”  {Shënon Ebu Davudi dhe Ahmedi}

Lidhur me këtë imam Gazaliu (rahimehullah) thotë: “Të ngriturit për madhërim është e urryer ndërsa për mirësi dhe respekt  nuk është e urryer”

Ndërsa dijetari i njohur imam Neveviu në librin e tij ‘El Edhkar’ thotë:” Sa i përket të nderuarit e atij që hyn duke u ngritur, ajo çka zgjedhim ne, se kjo është e pëlqyeshme për atë i cili gëzon fadilet të qartë, dhe kjo ngritje është si mirësi ,nderë dhe respekt, jo si syefaqësi dhe për t’a madhëruar”

Nuk ka të keqe nëse gjatë mexhlisit flitet edhe për atë që bënë dobi në dunja ose të kujtuarit e të kaluarës dhe tregimet e pleqëve prej të cilave mundet të përfitohet. Transmetohet nga Ibn Abbasi se i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë:” Bereqeti është me të moshuarit e juaj” {Shënon Hakimi në Mustedrekun e tij}

Sa i përket humorit dhe talljeve gjatë këtyre mexhileseve ato poashtu janë të lejuara mirëpo me disa kushte.

Fillimisht duhet patjetër të mos jet tallje me fenë e Allahut apo diçka prej saj si mbulesa,mjekrra etj. ngase kjo është kufr i madh që të largon nga feja. Pastaj të mos jet diçka e shpifur, pra të  jetë e vërtetë, ngase i Dërguari (sal-Allahu alejhi we sel-lem thotë) : ”Mjerë për atë i cili i flet njerëzve dhe gënjen për t’i shtyer ata të qeshin, mjerë për të” {Shënon Ebu Davudi}

Poashtu prej kushteve është të mos përqeshet apo të nënçmohet dikush prej të pranishmeve apo edhe të jopranishmeve ngase kjo hyn pastaj në gibet dhe nuk pranohet assesi. Allahu i lartësuar ne kur’anin famëlartë thotë:

“O ju që keni besuar! Le të mos e përqeshin një popull atë tjetrin. Ndoshta ata të përqeshurit janë më të mirë se ata, e as gratë mos të përqeshin të tjerat. Ndoshta ato (të përqeshurat) janë më të mira se ato, dhe mos e nënçmoni njëri-tjetrin dhe mos e thirrni njëri-tjetrin me llagape (të këqia)! I shëmtuar është emri i keq pas besimit! E, ata që nuk pendohen, ata, me të vërtetë, janë zullumqarë. “(49:11)

Komentatori i njohur Ibn Kethiri (rahimehullah) thotë lidhur me këtë:”Qëllimi me këtë është nënvlerësimi i tyre apo ulja e tyre apo të përqeshurit e tyre e kjo është haram (e ndaluar) dhe konsiderohet prej cilësive të hipokritëve”

Poashtu prej kushtëve së lejueshmërisë së humorit është që të mos teprohet në të ngase kjo zvogëlon respektin dhe sasia e humorit në bisedë duhet të jet sikurse kripa në ushqim. Poashtu duhet të vendoset humori në vendin e duhur, pra patjetër që të zgjidhet koha e përshtatshme. Iu është thënë  Sufjan Ibn Ujejnes (rahimehullah) :”Humori është denoncues” e ky iu përgjigj :” Jo ai është sunnet, mirëpo për atë që din të bënë këtë dhe i cili din në cilin vend të ndohet ai (pra ia gjenë kohën e duhur)”

Si rezultat i humorit të tepërt është pastaj të qeshurit e tepërt e kjo e vdesë zemrën. I Dërguari (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) thotë: “Mos qeshni shum ngase të qeshurit e shumtë e vdesë zemrën” {Sahih el Xhami’}

Nëse ndodhë që gjatë mexhlisit të grinden dy veta atëherë më i miri prej tyre i cili arritë shpërblim të madh tek Allahu, është ai që ndalet dhe nuk vazhdon në të edhe nëse ka të drejtë. I Dërguari  (sal-Allahu alejhi  we sel-lem ) ia garanton këtij nje palast në xhennet: ” Un jam garantues i një shtëpie në fund (më të ultë) të xhennetit për atë që e len grindjen edhe në qoftëse është në të drejtë dhe një shtëpi në mes të xhennetit për atë i cili e braktisë gënjeshtrën edhe në qoftëse është tallje dhe një shtëpi në shkallën më të lartë në xhennet për atë i cili ka moral të mirë” {Shënon Ebu Davudi, hasen sipas Shejh Albanit}

Më në fund para se të çohen nga mexhlisi është mirë të përkujtohen me leximin e surës asr dhe të kërkohet leje nga nikoqiri. Nga sunneti është të thuhet lutja të cilin na e transmeton Ebu Hurejra i cili thotë se i Dërguari (sal-Allahu alejhi ëe sel-lem ) ka thënë:” Kush merr pjesë në një mexhlis në të cilin shtohen fjalët e kota dhe të pakuptimta pastaj thotë para se të ngritet nga ai mexhlis: ”   سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ، أَسْتَغْفِرُكَ وَأَتُوبُ إِلَيْكَ                                                                               (Shqip: I Lartësuar qofsh, o Allahu im, Ty të takon Falëndërimi: dëshmoj se nuk ka të adhuruar  tjetër përveç Teje; kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem  (Allahu ia ka falë ato gjatë atij mexhlisi” {Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Hibbani,Hakimi)

Këto janë pra disa rregulla dhe udhëzime të cilat na i ka mësuar i Dërguari (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) rreth kësaj teme dhe neve na takon t’a ndjekim sunnetin e tij në mënyrë që të japin këto mexhlise frytat e tyre dhe të jenë të dobishme.

Lusim Allahun që të lëshoj bereqetin e Tij në ndejat tona dhe të na shton në ato harmoninë dhe dashurinë ndërvëllazërore. E lusim Allahun që të na bëjë mexhliset tona të dobishme ku përmendet Emri i Tij dhe në të cilat këshillohet për në të mirë! Allahu i vetëm është Ai që na frymëzon me vepra të mira dhe na udhëzon në ringjalljen e sunnetit. Nga Allahu kërkojmë ndihmën dhe suksesin!

Përgatiti: Hoxhë Ardian Elezi

Medineh, 05.02,2016