RTV Pendimi
Samet Tours
Kompania Ziel Bau
Namazi

NAMAZI NDALON NGA SHTHURJA DHE E SHËMTUARA

Pas njësimit të Allahut, namazi është shtylla e dytë e Islamit, megjithatë nuk shohim se asaj i kushtohet rëndësia dhe kujdesi i duhur në davet. Kjo, sepse ai është një adhurim që njerëzit e kanë zakon ta kryejnë dhe se është nga çështjet e njohura të Fesë. Atë gjithsesi e di çdo musliman, prandaj disa njerëz tregohen të shkujdesur para tij, ndërsa në fakt kjo është një mangësi e madhe. Rëndësia dhe pozita e namazit në Fe është e madhe dhe kërkon kujdes, pasi shokët e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, asnjë prej veprave nuk e shikonin si dalje prej Fesë përveç lënies së namazit, pavarësisht e ka lënë me mohim apo me pavëmendje dhe përtaci.

Ky është mendimi i vërtetë. Dijetarët e mëvonshëm nuk janë dakord për lënien e tij me përtaci, a del nga feja lënësi apo jo? Mirëpo, që të gjithë janë dakord se kush e lë namazin duke e mohuar, ai ka dalë nga Feja.

Mjafton që gjëja e parë nga veprat, për çka do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit është namazi, nëse me namazin është mirë dhe në rregull, atëherë i shikohen edhe veprat tjera; por nëse te namazi gjendjen e ka të prishur dhe të mangët, atëherë veprat e tjera as që shikohen.

Nga gjërat që aludojnë në rëndësinë dhe pozitën e madhe që ka namazi në Islam është edhe ajo se Allahu ia shpalli Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem pa ndërmjetës duke e ngritur në qiellin e shtatë në natën e Israsë dhe Miraxhit.

Kur Pejgamberi ynë, u ngrit deri tek Allahu mbi qiellin e shtatë, iu bënë farz Umetit pesëdhjetë namaze që t’i falë brenda një natë e një ditë. Zbriti dhe e takoi Musain, alejhi selam, – siç shënohet në Sahih Muslim – “Zbrita deri tek Musai, sal-lallahu alejhi ue selem dhe më tha: Me çka e detyroi Zoti Umetin tënd? Me pesëdhjetë namaze – i thashë. Kthehu te Zoti yt dhe kërkoji pakësim sepse Umeti yt nuk do ketë mundësi ta bëjë atë, unë jam sprovuar me bijtë e Israilit dhe i kam parë ata. Tha: U ktheva te Zoti dhe i thashë: O Zot! Lehtësoje për Umetin tim! M’i hoqi pesë dhe u ktheva te Musai, e i thashë: M’i hoqi pesë. E ai tha: Umeti yt vërtetë nuk ka mundësi t’i bëjë ato, kthehu te Zoti dhe kërko pakësim! Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem vazhdon: Vazhdova të kthehem mes  Zotit tim dhe Musait derisa më tha: O Muhamed! I keni pesë namaze brenda çdo ditë e natë, çdo namaz shpërblehet me dhjetë, ato janë pra pesëdhjetë… pastaj, zbrita derisa arrita te Musai, sal-lallahu alejhi ue selem  dhe i tregova, e ai më tha: Kthehu te Zoti dhe kërko pakësim. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: U ktheva tek Zoti aq sa u turpërova prej Tij”.

Mbetën pesë namaze me numër por me shpërblime tek Allahu pesëdhjetë. Shkaku i atij lehtësimi dhe asaj mirësie nga Allahu i Lartësuar ishte reagimi i Musait, sal-lallahu alejhi ue selem. Shikoje pra ndikimin dhe rëndësinë e përvojës, prandaj duhet nderuar njerëzit me përvojë.

Këtë që përmendëm është vetëm pak nga ajo që shpjegon një pjesë të pozitës së namazit në Islam, sepse të flasësh për vlerën e tij nuk ka hapësirë këtu. Megjithëkëtë, mund të gjesh njerëz që thirren si muslimanë ndërsa janë të pavëmendshëm me çështjen e namazit, e braktisin atë në tërësi, e kryejnë me mangësi apo nuk kujdesen për ta falur me xhemat. Shumë prej tyre nuk e falin namazin e sabahut me xhemat, duke i dhënë përparësi rehatisë, relaksimit dhe gjumit para kënaqësisë së Zotit. Vërtet, befasohesh në disa vende nëse shkon ta falësh sabahun nga numri i vogël i njerëzve, fillon të supozosh se këtyre njerëzve nuk u paskan lindur meshkuj përveçse pak! Shumë shpejt, ky supozim bie në ujë, kur të afrohet koha e fillimit të mësimit nëpër shkolla dhe i sheh rrugët plot me meshkuj.

Ai që beson sa i lartë është namazi dhe njihet me një pjesë të fryteve të tij nuk do ta anashkalonte deri kaq! Prandaj, është vërtetuar fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem lidhur me dyfytyrëshat: “Pasha Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, sikur të ishte që ndonjëri prej tyre do të merrte një supë të yndyrshme apo dy këmbë dele do ta falte jacinë me xhemat!” E çfarë të themi për atë që beson vlerën dhe veçoritë e namazit?

Namazi lë gjurmë në shumë gjëra në jetën e myslimanit, nëse e kryen atë siç e ka urdhëruar Allahu. Nga ato gjurmë po veçojmë:

1 – Namazi është strehë e myslimanit në raste fatkeqësish dhe brengash

Në raste vështirësish, ankthesh dhe problemesh, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ngrihej me shpejtësi në namaz dhe i thoshte Bilalit: “Na qetëso me namaz o Bilal, sepse Allahu na ka thënë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz” (Bekare 45).

Kur neve na godasin probleme, vështirësi e ankthe a shkojmë me shpejtësi në namaz? Shumë prej nesh, njerëzit e goditur nga një fatkeqësi i porosisim të bëjnë sabër – që nuk është gabim – mirëpo pse nuk e porosisim të falë namaz? Thuaji vëllait tënd që ka problem: Çohu, fali për Allahun dy reqate dhe lute të ta lehtësojë fatkeqësinë!

Secilin prej nesh e godasin fatkeqësi; sëmundje, gjynahe, problem me ndonjë të largët apo ndonjë të afërm, problem me bashkëshortin/en, tjetër me fëmijën, tjetër me komshiun… por a çohemi me shpejtësi për të falë namaz kur kemi ato vështirësi dhe ato probleme? Pak prej nesh e bëjnë atë! A nuk duhet të kemi turp nga vetja, kur meditojmë çështjen e Pejgamberit sesi ai ngrihej me shpejtësi të bëjë namazin dhe pastaj ta krahasojmë me vetveten?!

A nuk është çudi që, personi i goditur me brengë, mërzi a fatkeqësi, të dembeloset nga namazi dhe ta vonojë, madje të mos e falë në kohë, por vetëm kaza!? Allahu thotë “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz” megjithatë dikush mendon se belaja apo fatkeqësia që e ka goditur i krijon atij arsye për ta vonuar namazin nga koha e caktuar, mirëpo sikur ai të logjikonte do ta kuptonte se namazi është shoqëria dhe lumturia, me të shërohet nga brenga dhe mërzitë, në të gjen shpëtimin nga ankthi që ke!?

Në Sahih Muslim shënohet se Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem shkoi në vendin e një tirani dhe me vete kishte Sarën, që ishte më e bukura ndër njerëz, të cilës i tha: “Ky tiran po ta dijë se ti je gruaja ime, do të të merr me forcë nga unë, prandaj nëse të pyet, thuaji që je motra ime, sepse ti je motra ime në Islam, meqë nuk di të ketë musliman tjetër në tokë përveç meje dhe teje”. Kur hyri në tokën e tij, disa njerëz të atij tiranit i thanë zotërisë: Në tokën tënde ka ardhur një grua që nuk guxon të jetë e tjetërkujt përveçse e jotja. Ai dërgoi njerëz dhe e çuan Sarën tek ai ndërsa Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem, filloi të falë namaz.

Kur ajo hyri, tirani nuk mundi të përmbahet dhe deshi ta prekë me dorë, por ajo e kapi dhe ia shtrëngoi dorën, e ky i tha: Ma lësho dorën për hir të Allahut se nuk të bëj keq! Ia lëshoi dorën, por ky e përsëriti gjestin dhe ajo ia shtrëngoi dorën edhe më shumë sesa herën e parë dhe ai i tha njëjtë sikurse herën e parë. Ajo ia lëshoi dorën, por ky sërish deshi ta prekë me dorë dhe ajo ia shtrëngoi dorën edhe më shumë sesa dy herët e para, dhe ky i tha: Për hir të Allahut, lëshoma dorën se pasha Allahun nuk do të të bëj keq! Ashtu bëri, ia lëshoi dorën ndërsa ky e thirri personin që ia solli dhe i tha: Ti në fakt më paske sjell dreq dhe jo njeri, dëboje nga toka ime dhe jepja dhuratë Haxheren. Kur e pa Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem Sarën duke u kthyer, e përfundoi namazin dhe e pyeti: Hë, ç’u bë? –Hair, e zmbrapsi Allahu dorën e të prishurit dhe të dha një shërbëtor!, i tha Sara.

Po pra, me namaz zgjidhen komplikimet, problemet dhe largohen ankthet. Një dijetar dëfton: ishim një grup studentësh, analizonim një çështje me rëndësi për Umetin dhe çështja u ashpërsua dhe kriza u rritë saqë disa filluan të qajnë nga mundimet e kësaj çështje. Njëri prej të pranishmëve tha: Çohuni të falim namaz! Kur përfunduam me namazin dhe iu rikthyem çështjes, pengesa e madhe që ishte u zvogëlua brenda disa minutash dhe të gjithë u pajtuan për një zgjidhje, e pëlqyen që të gjithë dhe u solidarizuan me të. I ndihmoi Allahu këta, sepse:“Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz”.

2 – Namazi ndalon nga shthurja dhe e shëmtuara

Në suren Ankebut, Allahu ka thënë: “Vërtetë namazi të ndalon nga shthurja dhe e shëmtuara” (45). Kjo fjali, me këtë formulim në arabisht, aludon në përqendrim dhe vazhdimësi. Namazi ka rol në ndalimin e njeriut nga gjërat e këqija dhe gjynahet, mirëpo si do ta pajtojmë këtë kuptim me atë që shohim nga disa njerëz që falen por bëjnë gjëra të shëmtuara dhe gjynahe?

Disa dijetarë thonë: Nëse dëshiron të dish a e ke falur namazin të plotë apo jo, shiko veten se sa i kundërshton urdhrat e Allahut, aq gabime që bën aq cungohet namazi yt. Aq të plotë që e falë namazin duke përkryer pjesët e namazit, detyrat, të pëlqyerat dhe përuljen në namaz aq edhe namazi të ndalon nga gjynahet, shthurja dhe të shëmtuarat. Namazi i plotë doemos do të ndalojë nga shthurja dhe e shëmtuara, aq sa është i cunguar aq bën gjynahe.

Cungimi ndodhë në përuljen në namaz në veçanti. Mund të shohësh dy persona që falen në një saf, njëri afër tjetrit, njëri i përulur përgjëron Zotin e tij ndërsa tjetri i pavëmendshëm në namaz, prandaj njeriu prej namazit fiton vetëm aq sa ka qenë i vëmendshëm në namaz, dikush fiton të gjitha shpërblimet e namazit, dikush gjysmën, tjetri një të katërtën ndërsa dikush asgjë.

Le të meditojmë për ata që e falin namazin e jacisë dhe pastaj shkojnë për të shikuar në televizion ato çfarë Allahu ka ndaluar. Ata nuk e kanë falur namazin të plotë, sepse sikur ta falnin të plotë, do t’i ndalonte ai namaz nga rënia në këtë gjë të shëmtuar. Ibën Abasi ka thënë: Nga namazi nuk ke fituar asgjë përveç asaj sa ke qenë i vëmendshëm. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Robi e kryen namazin ndërsa mund të mos ketë fituar përveçse gjysmën, një të tretën, një të katërtën – derisa tha – një të dhjetën”. Pra, nëse namazin e falë siç është urdhëruar, ai do ta largojë nga shthurja dhe e shëmtuara, e nëse nuk e largon atëherë shihet se ai nuk e ka falur si duhet.

Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, e kishte marrë në punë një person dhe ai i kishte thënë: Pse më more mua? –Sepse të kam parë që namazin e falë mirë dhe i përulur. Përderisa hakun ndaj Allahut e kryen si është më mirë, atëherë sigurisht edhe detyrat tjera do t’i kryesh mirë – i tha Omeri.

Kështu pra, përgjegjësi në çështjet e myslimanëve nuk guxojnë të marrin përveçse ata që falen, të cilët e falin namazin me kohë dhe të plotë siç është përshkruar në Fe sepse ai është amanet, e kush e tradhton amanetin e namazit, ai të tjerat ka për t’i tradhtuar edhe më kollaj. E kush kujdeset për namazin, të tjerat ka për t’i ruajtur edhe më shumë.

3 –Namazi na mëson moralin dhe edukatën e lartë

Ai na mëson tubimin për hair, ndërvarësinë e solidaritetin, dhembshurinë e ndjeshmërinë, saktësinë në kohë dhe kujdesin për të, duke filluar nga namazi i sabahut dhe duke përfunduar me namazin e jacisë por edhe në kohën ndërmjet tyre. Namazi na pastron nga papastërtitë e brendshme, siç janë urrejtja, zilia si dhe gabimet e tjera të zemrës. Namazi na mëson sabrin në raste vështirësish dhe sprovash, prandaj e kemi të ligjësuar ta falim në shtëpi e në udhëtim, në paqe e në luftë.

Për shkak të rëndësisë që ka namazi në përvetësimin e edukatës dhe moralit, prindërit janë urdhëruar t’i rrahin fëmijët për të falë namaz, kur ata arrijnë moshën dhjetëvjeçare. Fjala e fundit që shprehu Vula e pejgambereve ishte: “Namazin, namazin dhe ata që i keni nën zotërimin tuaj”.

Namazi është nur, jetë dhe relaksim. Allahu thotë: “Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes” (Fet’h 29). Ndaj, në fytyrat e atyre që falen mund të shohësh nurin dhe çeljen ndërsa në fytyrat e dyfytyrëshave do të gjesh terrin dhe mjegullën.

Hajt pra, le të kujdesemi për të, t’ia japim kujdesin që meriton dhe t’i edukojmë gjeneratat ta madhërojnë?!

E lus Allahun që të më japi sukses mua dhe juve në këtë. Allahu është më i Dijshmi dhe më i Urti. Lavdërimi dhe paqja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Nga arabishtja: Omer Berisha

Related posts

RËNDËSIA E NAMAZIT

Irfan Jahiu

Namazi i “DUHASЁ” (paraditёs)…Namazi i vigjilentёve

Kushtrim Guraj

BABAI IM, PSE NUK E FAL NAMAZIN E SABAHUT?!

Kushtrim Guraj

RREGULLA ME RËNDËSI LIDHUR ME SAFET

Kushtrim Guraj

A KUJDESESH PËR NAMAZIN?

Kushtrim Guraj

RËNDËSIA E NAMAZIT

Kushtrim Guraj

METODA PËR SHËRIMIN E DEKOCENTRIMIT NË NAMAZ

Kushtrim Guraj

NDËSHKIMI I ATIJ QË E BRAKTIS NAMAZIN

Kushtrim Guraj

NAMAZI, POROSIA E ALLAHUT PËR PEJGAMEBRËT

Kushtrim Guraj