Me gjithë zemrën

Iu duk vetja i shkretë. Të vetmin burim ushqimi që kishte pasur, nuk e kishte më. Ajo pra  ishte gjithçka dinte, por tashmë kishte ngelur pa të. Papritur, bota iu bë e ftohtë dhe po ndjente, se po e rrethonin vetëm të huaj. Fëmija i porsalindur, bërtiti. Mendoi se jetës së tij i kishte ardhur fundi. Ai nuk e kuptonte, se dhe tani kishte kush kujdesej për të. Ekzistonte dhe për të një plan. Gjithçka që iu mor, Mbrojtësi i tij do t’ia zëvendësonte me diçka më të mirë. Ushqimi, që dikur e kishte marrë vetëm nëpërmjet gjakut, tani shpejt do t’i vinte nëpërmjet qumështit të nënës. Ndërsa muret pa jetë të mitrës- e vetmja mbrojtje gjer atëherë- shpejt do të zëvendësoheshin me  ngrohtësinë dhe mbështetjen familjare.   
 
Prapëseprapë, të porsalindurit, i dukej sikur ka humbur gjithçka
Shumë prej nesh e shohin veten në të njëjtën pozitë me këtë fëmijë. Ka kohëra, ku ndjejmë se kemi humbur çdo gjë, apo duket sikur gjërat janë thyer dhe asnjëherë nuk mund të jenë ashtu siç do t’i donim. Ka çaste, kur ndihemi se jemi braktisur dhe se asgjë nuk po funksionon ashtu siç e kishim planifikuar. 
Po tamam si ai fëmija i sapo ardhur në jetë, shpesh gjerat nuk janë ashtu siç duken, dhe teuekkuli (mbështetja e plotë tek Zoti) do të thotë, të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë se Mbrojtësi ynë ka një plan për ne. Teuekkul do të thotë të kesh besim të plotë, se Allahu do të kujdeset për ty- madje dhe atëherë kur gjërat duken të pamundura. Teuekul do të thotë të qëndrosh përpara Detit të Kuq- siç bëri profeti Musa (a.s) – me një ushtri pas teje, por pa t’u dridhur fare qerpiku, duke qenë i bindur, se Allahu do të të shpëtojë nga ajo bela. Do të thotë të kesh besim të plotë, se kur Allahu të heq kordonin umbilikal, ta zëvendëson atë me qumësht. 
Nuk mund të ketë besim pa teuekkul; e nëse ekziston besimi i vërtetë, nuk ka sesi të mos ketë teuekkul. Allahu thotë në Kuran sipas asaj që mund të përkthejmë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi dhe janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre”. (Enfalë, 8:2) 
Si mund t’i rezistojmë pra mbështetjes së plotë tek Ai? 
 
Nëse kuptohet drejt realiteti dhe fuqia e Allahut, atëherë çdokush do ta kuptojë, se mos mbështetja e plotë tek Allahu është dobësi e mendjes njerëzore. Asgjë, në gjithë universin, nuk ndodh pa lejen e Tij. As dhe një gjethe nuk bie nga pema pa lejen e Krijuesit. Ja se ç’thuhet në një tjetër ajet kuranor: “I Madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send”. (Mulk, 67:1) 
Atëherë kush mund t’i rezistonte mbështetjes së plotë tek Allahu? Allahu u drejtohet besimtarëve në Kuran: “Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj çka na është caktuar nga Allahu; Ai është ndihmëtar yni”. Prandaj, vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët”. (Teube, 9:51) 
Kurani sqaron se: “…dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).  
Realiteti tregon, se nuk ka asgjë dhe askund që mund të mjaftojë. “…e kush nuk i beson të pavërtetat e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm”. (Bekare, 2:256) 
 
I dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse do t’i besonit Allahut me një teuekkul të drejtë, Ai do t’ju furnizonte ashtu siç furnizon zogjtë; ata dalin në mëngjes nga foleja me stomakun bosh dhe kthehen në mbrëmje me stomakun plot”.(Tirmidhiu) 
Ashtu siç bën me zogjtë dhe fëmijët e porsalindur, ashtu dhe ne na e sjell rrizkun andej nga nuk na e pret mendja. 
 
Shpresë, përpjekje dhe mbështetje 
Në fillim u tmerrua. E thirri të shoqin, i cili tashmë po i kthente shpinën për t’u larguar. “A do na lësh të vdesim këtu?” Asnjë përgjigje. E thirri sërish, por dhe këtë herë nuk mori asnjë përgjigje. Papritur, thirri dhe një herë: “A Zoti të ka urdhëruar të na sjellësh këtu?” 
“Po,” u përgjigj Ibrahimi. 
Teukkul-i nuk është çështje gjymtyrësh, por çështje zemre. 
Vetëm kur dëgjoi këtë, Haxheres iu shua frika. Edhe pse krejt papritur e gjeti veten vetëm në mes të shkretëtirës me foshnjën e saj të vogël dhe pa burim jete (ujë) gjëkundi, ajo e dinte dhe ishte e bindur, se Allahu nuk do ta braktiste kurrë. Besimi i saj ishte shumë i fortë, bindja e palëkundur. Por shumë shpejt pas largimit të Ibrahimit (a.s), fëmija i saj, Ismaili (a.s), zuri të qante nga etja. Edhe pse Haxherja kishte mbështetje të plotë tek Allahu, nuk ndenji ulur duke pritur, që uji t’i zbriste nga qielli. 
Mbështetja tek Allahu ia mbushi zemrën Haxheres, por ajo vuri në lëvizje gjymtyrët dhe u përpoq me gjithçka kishte. Nisi të vraponte me nxitim mes kodrës Safa dhe Merva, duke kërkuar për ndonjë shenjë uji për të birin. Edhe pse nuk gjente asgjë, sa herë arrinte në majën e kodrës, nuk e humbte shpresën. Ashtu me vullnet të patundur, vazhdoi përpjekjet. Në të vërtetë, përpjekjet e saj ishin aq të forta, sa përkujtohen çdo vit gjatë haxhit në ritualin e Sajit, që gjuhësisht do të thotë, “të përpiqesh”. 
 
Shumë njerëz e ngatërrojnë teuekkul-in me dorëzimin dhe ndërprerjen e përpjekjeve. Por nuk ka sesi të jetë kështu. Historia e Haxheres mbetet shembulli më i bukur, për të nxjerrë mësim lidhur me këtë çështje, gjë që përforcohet akoma më shumë me mësimin, që na ka dhënë Profeti ynë i dashur (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Një ditë ai pa një beduin, që nuk e kishte lidhur devenë dhe iu drejtua: “Përse nuk e lidh devenë?” Beduini iu përgjigj: “I mbështetem Allahut.” Atëherë Profeti (a.s) i tha: “Lidhe një herë, pastaj mbështetu tek Allahu”.
 
Teukkul-i nuk është çështje gjymtyrësh, por çështje zemre.  Ndërkohë që gjymtyrët përpiqen fort, zemra i mbështetet plotësisht Allahut. Kjo do të thotë, se çfarëdo të jetë rezultati i lëvizjes së gjymtyrëve, zemra do të jetë plotësisht e kënaqur, duke e ditur se rezultati është vendimi i pa të meta i Allahut. 
Që të arrihet kjo gradë, duhet të kapesh fort pas litarit, të vësh në lëvizje gjymtyrët dhe ta lësh zemrën të qetë në punën e saj.