RTV Pendimi
Kompania Ziel Bau
Samet Tours
Imani

LIDHJA E DHIKRIT ME VDEKJEN E MIRË

Sigurisht që fjalët më të mira janë fjalët e Allahut të Madhërishëm, të cilat i zbriti në Kuranin Fisnik, por krahas fjalëve në Kuran, Allahu e frymëzoi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem, të na përcjellë edhe fjalë të tjera nga Allahu, që ne i njohim si hadithet kudsij – thënie të shenjta. Secili që ka fatin të mbartë dhe të përcjellë një ajet, hadith apo një dije nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, ai është i nderuar dhe është ndër kandidatët që presin përgjigjen e lutjes së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, kur u lut:

“Allahu e ndriçoftë atë njeri që dëgjoi fjalën time dhe e kuptoi, e pastaj ia përcolli atij që nuk e dëgjoi”[1]. Prandaj, ndihem i nderuar të paraqitem para jush me shpjegimin e këtij hadithi kudsij, por jeni të nderuar gjithashtu edhe ju që keni zgjedhur të lexoni shpjegimin e fjalëve të Allahut. Hadithi është ky: 

Ebu Hurejra dhe Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur me këta dy, dëshmojnë se kanë dëgjuar nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, të ketë thënë: “Robi kur thotë: ‘Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, Allahu është më i Madhi’ Allahu i Madhërishëm thotë: ‘Robi im e tha të vërtetën, nuk ka të adhuruar përpos Meje dhe unë jam më i Madhi’.

E robi kur thotë: ‘Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, të Vetmit’, Ai thotë: ‘Robi im e tha të vërtetën, nuk ka të adhuruar përveç Meje dhe unë jam i Vetmi’.

Kur thotë: ‘Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, nuk ka ortak me Të’, Ai thotë: ‘Robi im e tha të vërtetën, nuk ka të adhuruar përveç Meje dhe Unë s’kam asnjë ortak’.

Kur thotë: ‘Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, Atij i takon sundimi dhe lavdërimi’, Ai thotë: ‘Robi im e tha të vërtetën, nuk ka të adhuruar përveç Meje, Mua më takon sundimi dhe Mua më takon lavdërimi’.
 
Kur të thotë: ‘Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, nuk ka lëvizje dhe as fuqi pa Allahun’, Ai thotë: ‘Robi im e tha të vërtetën, nuk ka të adhuruar përveç Meje dhe nuk ka lëvizje e as fuqi pa Mua’.
Pastaj, Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Kush i ka fat këto fjalë në momentin e vdekjes, atë nuk do ta prekë Zjarri”.

Këtë hadith kudsi e kanë shënuar Ibën Maxhe nr. 3794 dhe Tirmidhiu, ndërsa Albani në Sahihul Xhami nr. 713 i dha gradën sahih.

Allahu i Lartësuar me këto fjalë lavdëron njerëzit që kanë zemra të gjalla, zemra të cilat janë të lidhura me të Përjetshmin, të Plotfuqishmin, të Gjithëmëshirshmin. I quaj të gjalla sepse gjuha që nuk përmend Allahun nuk është duke përjetuar gjallërinë e duhur, gjallëri e cila e ndihmon robin të rrugëtojë me dinjitet në këtë botë që të arrijë shpëtimin në botën tjetër. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:

“Shembulli i atij që përmend Zotin dhe tjetrit që nuk e përmend Zotin është sikur shembulli i të gjallit me të vdekurin”[2].

Allahu i Madhërishëm me këtë hadith kudsij përgëzon besimtarët që i kanë mësuar këto fjalë, i përgëzon me përgjigjen e Tij, subhanehu ue teala, duke vërtetuar fjalët e robit të Vet.

Robëria ndaj Allahut është përparësi dhe nder, meqë shumë njerëz kanë zgjedhur të jenë robër të pasurisë, robër të modave apo robër të tokave, siç na përkujton Pejgamberi, alejhi salatu ue selam:

“I mallkuar është robi i dinarit, i mallkuar është robi i dërhemit, i mallkuar është robi i rrobave, i mallkuar është robi i tokës pjellore (pyllit), ai është i mallkuar dhe i devijuar e nëse shpohet nuk shërohet”[3].

Është ndjenjë e mirë nëse dikush i përsëritë dhe i vërteton fjalët e tua, qoftë ai edhe një fëmijë, po çfarë ndjenje mund ta kaplojë besimtarin kur e di se Krijuesi i gjithësisë, i Cili prej lartësisë së Arshit vërtetën fjalët e tua, a nuk është ky një përgëzim i vërtetë, një përkrahje e madhe dhe afërsi miqësore.

Kur besimtari thotë: La ilahe il-lallah, Allahu Ekber me besim të palëkundur se askush dhe asgjë nuk meriton adhurimin, nënshtrimin dhe përuljen tonë përveç Allahut. Beson se Ai është i vetmi që ka në dorë këtë gjithësi dhe Ai qeverisë me gjithçka ka në të; beson se vetëm Atij duhet t’i drejtohemi me adhurimet tona, Atij i përgjërohemi, Atij i kthehemi për të kërkuar çfarëdo mirësie apo për ta larguar çfarëdo të keqe; beson se emrat dhe cilësitë që i ka Allahu dhe për të cilat na ka informuar Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk mund t’i ketë askush nga krijesat, sado që të përpiqen ata.

“Allahu Ekber” buron nga zemra e besimtarit, nga besimi i palëkundur që ka se Allahu është më i Madhi me Qenien e tij, subhanehu ue teala, me fuqinë e Tij, me mëshirën e Tij, me pushtetin e Tij, me pasurinë e Tij dhe me gjithçka tjetër. Allahu është më i madh se ai që dëshiron ta mposhtë këtë fe, më i madh se ai që keqtrajton familjen time, më i madh se ai që nënçmon njerëzit, më i madh se problemi që më ka goditur e kështu me radhë. Duke pasur një bindje të këtillë besimtari ruan qetësinë, kultivon durimin, shton trimërinë dhe ngjallë shpresat.

Kur thotë: La ilahe il-lallah uahdehu – përforcon njësimin që ka në zemër për Zotin e vet, i paramendon ata që kanë njësimin e cunguar apo të prishur kur i përshkruajnë Allahut shokë në ndonjë prej veçorive të Tij dhe thotë: La ilahe il-lallah la sherike lehu – duke mohuar në këtë mënyre çdo ortak apo pjesëmarrës në veçoritë e Allahut. Allahu nuk ka asnjë ortak dhe as që ka pasur nevojë të ketë ndonjë, kështu që as ne nuk i përshkruajmë ndonjë, qoftë ai melaqe, pejgamber apo njeri i mirë. Dashurinë, frikën, shpresën, mbështetjen, përuljen, madhërimin që kemi për Allahun assesi nuk guxojmë ta përpjesëtojmë me ndonjë prej krijesave të tij, sepse në atë mënyrë i kemi përshkruar Atij shok dhe kemi rënë në gjynahun më të madh që bëhet në tokë, në shirkun që Allahu nuk e falë.

“Me të vërtetë, kanë mohuar (të Vërtetën) ata që thonë: “Me siguri Zot është Mesihu, biri i Merjemës! Kurse, Mesihu tha: “O bijtë e Israilit, adhurojeni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj. Se, me të vërtetë, kush i bën shok Allahut, Allahu ia ndalon atij Xhenetin dhe strehim i tij është Zjarri. Dhe, për zullumqarët nuk ka ndihmëtarë” (Maide 72).

Përveç këtyre fjalëve të përgjithshme, besimtari shprehë në detaje besimin që ka, duke thënë: La ilahe il-lallah, lehul mulku ue lehul hamdu – se i gjithë sundimi dhe prona në këtë gjithësi është e Allahut dhe Ai e ndan siç do vet me dijen dhe urtësinë e Vet, e për këtë meriton çdo lëvdatë nga gjuhët tona, lëvdatë që buron nga thellësia e zemrës, duke thënë gjithherë Elhamdulilah. Besimtari i mirë nuk akuzon Allahun për mosarritjet personale, pse nuk shpëton nga thundrat e armikut, pse nuk arrin të sigurojë më shumë pasuri, sepse ai ka parasysh fjalët e Allahut:

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, kjo është për shkak se e keni fituar vetë, e shumë të tjera Ai i falë” (Shura 30).

Në fund, besimtari shprehë nevojën që ka për Allahun, duke shfaqur dobësinë dhe varfërinë për të Gjithëmëshirshmin, kur thotë: ‘La ilahe il-lallah, ue la haule ue la kuvete il-la bil-lah’ për të thënë se nuk ka mundësi të bëjë as lëvizjen më të vogël, as aktivitetin me më pak lodhje pa Allahun, ngase çdo mundësi për lëvizjen time dhe çdo fuqi që unë e shpenzoj në përditshmërinë time vjen prej Allahut të Gjithëfuqishëm.

Më e mira e gjithë këtyre fjalëve është përgjigja dhe vërtetimi nga Allahu, i cili çdoherë kur robi shprehte besimin e tij me fjalët që i treguam Allahu përgjigjet, ia vërteton fjalët dhe njëkohësisht lëvdon besimtarin duke ia përsëritur pas çdo fjalie: ‘Robi im e tha të vërtetën… robi im e tha të vërtetën’ sepse ashtu është realiteti, Unë jam më i Madhi, Jam i Vetmi, nuk kam asnjë ortak, Mua më takon sundimi, Mua më takon lavdërimi si dhe nuk mund të ketë asnjë lëvizje dhe nuk mund të ekzistojë asnjë fuqi pa dëshiruar Unë.

Pas këtij informimi që na dha Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në fund na tregon edhe për shpërblimin që përgatitet në botën tjetër: “Kush i ka fat këto fjalë në momentin e vdekjes, atë nuk do ta prekë Zjarri”.

Këtij i thuhet përfundim i mirë. Po çfarë është përfundimi i mirë dhe si arrihet ai?

Përfundim i mirë është kur njeriut para vdekjes i jepet sukses të largohet nga gjërat që e zemërojnë Allahun, të pendohet nga gjynahet e mëdha dhe të vogla, u rreket adhurimeve dhe veprave të mira dhe t’i vijë vdekja në këtë situatë. Kështu shprehet Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem:

“Allahu kur ia do të mirën robit të Vet, e merr në punë” Si, e merr në punë?! – e pyetën. “I jep sukses të bëjë vepra të mira para vdekjes” – u përgjigj Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem. (Sahihu Tergib nr. 3357).

Përfundimi i mirë ka edhe shenjat e tij:

Një nga shenjat është që mund ta sheh vetëm personi që përjeton atë përfundim, siç na tregon Allahu është:

“Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhdojnë në të drejtë, do t’u zbresin atyre melaqet (dhe do t’u thonë): “Mos u frikësoni, mos u pikëlloni! Dhe gëzohuni me xhenetin që ju ishte premtuar! (Fussilet 30). Këtë përgëzim do ta përjetojnë në momentin e vdekjes, në varre dhe kur të ringjallen.

Ndërsa prej shenjave, që mund t’i shohin edhe të tjerët janë:

– shqiptimi i shehadetit apo i këtyre fjalëve që i mësuam nga hadithi i sotëm. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Ai që fjalën e fundit e ka: La ilahe il-lallah, do të hyjë në xhenet”, d.m.th. nga fjalët e fundit.

– djersitja e ballit. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Besimtari vdes me ballë të djersitur” (Sahihu Nesai nr. 1828).

– vdekja në ditën e xhuma. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Çdo musliman që vdes në ditën e xhuma apo natën e xhuma, Allahu do ta mbrojë nga sprova e varrit” (Sahihu Tirmidhi nr. 1074).

– rënia shehid, vdekja nga epidemia, nga sëmundjet e barkut dhe nga mbytja në ujë. Argument për këtë është rasti kur Profeti i pyeti shokët e tij: “Kë e konsideroni shehid ju? Thanë: O i Dërguar i Allahut, ai që vritet në rrugë të Allahut është shehid. “Atëherë shehidët e Umetit tim qenkan pak” – tha Pejgamberi. Po kush janë atëherë? – pyetën sahabët. “Ai që vritet në rrugë të Allahut është shehid, ai që vdes në rrugë të Allahut është shehid, kush vdes nga epidemia është shehid, kush vdes nga barku është shehid dhe i mbyturi në ujë është shehid” (Sahihu Muslim nr.1915).

– gjithashtu prej shenjave tjera që janë të përmendura në argumente të ndryshme janë: vdekja nga ndonjë rrënim që ndodhë, gruaja që vdesë gjatë shtatzënisë apo lehonisë për shkak të fëmijës, vdekja në ndonjë zjarr, ai që vdes duke mbrojtur pasurinë e tij e të tjerë.

Por, teleshikues të nderuar! Shfaqja e ndonjë prej këtyre shenjave nuk na lejon që të deklarojmë me bindje se ai është xhenetli, mirëpo themi se është një shenjë e mirë, shenjë që na gëzon. Sikundërse mosshfaqja e ndonjë prej këtyre shenjave te dikush, nuk na lejon të gjykojmë se ai njeri nuk ishte i mirë, e aq më pak se nuk do të jetë xhenetli.

Për të pasur përfundimin e mirë ka shkaqe dhe ato duhet t’i marrim me shumë seriozitet:

1 – Përqendrimi në këtë fe, siç e përmendëm ajetin pak më lart:

“Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhdojnë në të drejtë, do t’u zbresin atyre”melaqet (dhe do t’u thonë): “Mos u frikësoni, mos u pikëlloni! Dhe gëzohuni me xhenetin që ju ishte premtuar! (Fussilet 30).

2 – Mendimi i mirë për Allahun, siç thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem:

“Allahu i Lartësuar thotë: Unë jam te mendimi i robit tim që ka për Mua”, pra, ashtu siç mendon ai për Mua, ashtu do të jem.

3 – Frika nga Allahu. Ai thotë:

“E kush i ka frikë Allahut, Ai çështjen e tij do t’ia bëjë të lehtë”.

4 – Të qenit i drejtë. Allahu ka thënë:

“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe bëhuni të drejtë” të drejtë në fjalë, në sjellje dhe në punët tuaja.

5 – Pendimi. Allahu thotë:

“Pendohuni që të gjithë tek Allahu o ju besimtarë, që të shpëtoni!”

6 – Frika nga përfundimi i keq. Kujdesi që do të vijë si rezultat i kësaj frike do ta bëjë njeriun të arrijë gradat më të larta të devotshmërisë, mundësinë e përfundimit të mirë dhe në fund kënaqjen me atë që Allahu ka përgatitur për robërit e tij të sinqertë.


[1] Sahihu Tergib nr. 91 (sahih ligajrihi)

[2] Sahihul Buhari nr. 6407

[3] Sahih Ibën Maxhe nr.3353

shkruan: Omer BERISHA

Related posts

VLERA E TEUHIDIT

Irfan Jahiu

VDEKJA

Irfan Jahiu

PËRQENDRIMI NË FE

Irfan Jahiu

FEJA E VËRTETË TEK ALLAHU ËSHTË VETËM ISLAMI

Irfan Jahiu

DISA VEPRA TË CILAT E PRISHIN APO E MANGËSOJNË PËRSOSMËRINË E TEUHIDIT

Irfan Jahiu

NGA FRYTET E IMANIT

Kushtrim Guraj

SHQIPTOI SHEHADETIN DUKE QENË E VDEKUR

Kushtrim Guraj

SI DO TË JETË MËNGJESI I PARË NË XHENET?

Kushtrim Guraj

LAICIZMI DHE RREZIKU I TIJ!!

Kushtrim Guraj