Konsumimi i frutave arrore e përmirëson funksionin e trurit deri në 60%

Konsumimi i frutave arrore e përmirëson funksionin e trurit deri në 60%

Konsumimi i afatgjatë i frutave arrore mund të jetë çelësi për një shëndet më të mirë kognitiv te të moshuarit.

Demenca është sindromë e cila ndërlidhet me një dobësim të funksioneve kognitive, ndërkaq Shoqata e Alzheimerit vlerëson se rreth 850,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar janë duke jetuar me simptoma të demencës, transmeton Telegrafi.

Sidoqoftë, hulumtuesit australianë kanë zbuluar se konsumimi i frutave arrore mund të ndihmojë në forcimin e funksionit të trurit.

Për këtë studim, i cili është publikuar në revistën “The Journal of Nutrition, Health and Ageing”, hulumtuesit kanë analizuar efektet e konsumimit të frutave arrore te rreth 5,000 të rritur të moshës mbi 55 vjet.

Ata kanë zbuluar se konsumimi i 10 gramëve të frutave arrore në ditë – sasi ekuivalente me dy lugë çaji – është ndërlidhur pozitivisht me një përmirësim të mënyrës së menduarit, me përmirësim të kujtesës, etj.

Hulumtuesit gjithashtu kanë zbuluar se e njëjta sasi e frutave arrore mund ta përmirësojë funksionin kognitiv të të moshuarve deri në 60%. /Telegrafi/