RTV Pendimi
Kompania Ziel Bau
Samet Tours
Agjërimi Dija & Daveti

GJENDJA E NJERËZVE PAS RAMAZANIT

O muslimanë, ishit në muajin e mirësisë dhe begatisë, agjëronit ditën, faleshit natën dhe i afroheshit Zoti tuaj me adhurime të ndryshme duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke kërkuar mbrojtje prej dënimit të Tij. Pastaj përfunduan këto ditë dhe kaloi një periudhë të jetës suaj e cila nuk do të kthehet më asnjëherë. Kështu janë ditët e jetës, periudha që do t’i kaloni ditë pas dite në rrugën e juaj për në ahiret. Ato e shkurtojnë jetën e juaj, u afrojnë kah exheli dhe ua ruajnë veprat të cilat i vepruat që të jepni llogari atë ditë kur të gjithë do të japin llogari: “(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe”. (Ali Imran: 30)

Muaji i Ramazanit ishte shans i juaj që t’i ktheheni pendimit dhe veprave të mira. Të edukoheni në veprimin e adhurimeve dhe largimin nga ndalesat dhe të bëheni të durueshëm dhe në fund të dilni fitimtar kundrejt epshit të juaj i cili është fort i prirë për të keqe. Dijeni se ju nuk u ndatë nga ky muaj vetëm se i bëtë adhurimet gjëja më e dashur e zemrave tuaja dhe mëkatet gjëja më e urryer e shpirtrave tuaj. U edukuat me moral të lartë dhe u zgjuat prej shkujdesjes dhe e kuptuat vlerën e jetës dhe të adhurimeve.

Tani pasi që kaloi ky muaj mos iu ktheni mëkateve për arsye se Zoti i Ramazanit është edhe Zot i muajve të tjerë. Mos e shkatërroni atë që e ndërtuat me duart e juaja prej veprave të mira se prej shenjës së pranimit të veprës së mirë është pasimi i saj me të mirë. Kthimi në mëkate pas pendimit prej saj është krim dhe mëkat më i madh se sa para saj. Para jush e keni peshoren ku maten të mirat dhe të shëmtuarat e juaja: “Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem”. (El-Mu’minun: 102-103)

Edhe pse kaloi Ramazani para jush është një sezon i cili përsëritet çdo ditë dhe çdo natë. Ai është namazi të cilin Allahu ia detyroi robërve të Tij pesë herë në ditë, të qëndrojnë para Tij, t’i luten dhe të shpresojnë mëshirën e Tij. Prandaj përgjigjuni thirrjes së Allahut se ajo dhe besimi janë shkaqe për faljen e mëkateve dhe mbrojtje prej dënimit. E kush nuk i përgjigjet thirrjes së Allahut për të nuk ka siguri dhe mbrojtje dhe ai është në humbje të thellë.

Po ashtu para jush është edhe një sezon që përsëritet çdo javë e që është namazi i Xhumasë dhe me të Allahu, azze ue xhel, e veçoi këtë Umet. Në këtë ditë gjendet një orë nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë.

Po ashtu para jush keni sezone të ndryshme ku në to ka adhurime të ndryshme ditën dhe natën. Depot e Allahut janë të plota. Ai është pasanik nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për Atë dhe mëshirën e Tij në Ramazan dhe jashtë tij.

Si është gjendja e atyre që në këtë muaj i nënshtroheshin adhurimeve dhe pas kalimit të tij u ndërrua gjendja e tyre. U pyetën disa prej selefit për këtë lloj njerëzish dhe thanë: “Sa njerëz të shëmtuar janë këta, nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan.”

Xhamitë në Ramazan ishin të mbushura me njerëz në pesë kohërat e namazit, ndërsa pas kalimit të tij gjurmët e tyre u zhdukën prej xhamive. Sikurse ata nuk kanë nevojë më për Allahun dhe se për ta obligimet u anuluan, ndërsa haramet u lejuan. Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej devijimit pas udhëzimit, dhe prej kufrit pas imanit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!”. (Muhamed: 33)

Sikurse veprat e mira i shlyejnë të shëmtuarat po ashtu të shëmtuarat i humbin veprat e mira. Thuhet se mëkati pas pendimit është më i shëmtuar se sa shtatëdhjetë para saj. Përcillet se një prej selefit para vdekjes qante dhe kur u pyet për shkakun tha: “Qaj për ato natë që nuk fala namaz në to dhe për ato ditë që nuk munda të agjëroj në to”. Këtë besimtar e vriste ndërgjegjja para vdekjes se nuk mundi të fal namaz nafile natën dhe të agjërojë agjërim vullnetar ditën dhe parashtrohet pyetja se vallë si duhet të jetë ndërgjegjja e atyre që nuk i kryejnë farzet për Allahun?

Këtë muaj duhet që ta përcjellim me kërkim të faljes dhe me shpresë dhe lutje për pranim të veprave. Selefi i luteshin Allahut gjashtë muaj që të arrijnë muajin e Ramazanit, e kur e arrinin vepronin vepra të mira, pastaj luteshin gjashtë muaj që t’i pranojë Allahu veprat e tyre që i kanë bërë gjatë këtij muajit. Çdo kohë e tyre ishte Ramazan, ndërsa sot shumica e njerëzve Ramazanin e përcjellin duke bërë mëkate duke i lënë detyrimet dhe duke vepruar ndalesa.

O robër të Allahut, Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi që ta përfundojmë muajin e Ramazanit me tekbire dhe me falënderim ndaj Allahut për plotësim e begatisë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
Ndërsa Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, na nxit që pasi ta kryejmë agjërimin e muajit Ramazan ta pasojmë atë me agjërim të gjashtë ditëve të muajit Sheval. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, shënon në librin e tij një hadith prej Ebu Ejub el Ensarij, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit e pastaj ia bashkon edhe gjashtë të Shevalit është sikurse të kishte agjëruar tërë vitin”.

Në përsëritjen e agjërimit pas Ramazanit ka shumë dobi. Prej saj e kemi dobinë se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve pas Ramazanit është si namazi nafile pas farzit, i plotëson mangësitë dhe të metat. Shumica e njerëzve në agjërimin e tyre obligativ kanë mangësi dhe me agjërim vullnetar plotësohen ato mangësi dhe të meta.

Prej dobive tjera është se përsëritja e agjërimit pas Ramazanit është shenjë e pranimit të agjërimit të muajit Ramazan. Allahu, azze ue xhel, kur ia pranon robit veprat e begaton pas saj me punë të mira, siç thonë disa se e mira shpërblehet me një të mirë pas saj. Ndërsa kush vepron një vepër të mirë e pastaj e pason me vepra të shëmtuara kjo është shenjë se ajo e mirë e tij është e refuzuar dhe nuk pranohet.

Prej dobive tjera është se agjërimi i muajit Ramazan i shlyen mëkatet e mëparshme dhe përsëritja e agjërimit pas Bajramit është falënderim për ato begati me të cilat e begatoi Allahu robin e Tij gjatë muajit Ramazan.

Prej begative po ashtu është se përsëritja e agjërimit pas Bajramit aludon në dëshirën e robit që të agjërojë dhe se ai nuk është lodhur dhe mërzitur prej agjërimit të Ramazanit.

Zëvendësimi i begative të Allahut me mëkate pas kalimit të muajit të Ramazanit është mohim i atyre begative. Kush pretendon që t’i kthehet mëkateve pas Ramazanit agjërimi i tij është i refuzuar dhe dera e mëshirës e mbyllur. Këto muaj dhe vite dhe ditë janë të caktuara dhe kalojnë shumë shpejtë, ndërsa Zoti i tyre është i Gjallë nuk vdes, Ai është gjithnjë prezent në çdo kohë dhe çdo vend me diturinë e Tij. Prandaj frikojuni Allahut dhe vazhdoni të veproni vepra të mira dhe të largoheni prej të shëmtuarës, se do të vjen një ditë kur do të dalin veprat në shesh: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fusilet: 46)

Merita e Allahut mbi ju është e vazhdueshme dhe sezonet e faljes janë të njëpasnjëshme për atë të cilin Allahu e begatoi. Pasi që na kaloi ky muaj i mëshirës jemi në prag të muajit të Haxhit. Në Ramazan kush agjëroi dhe fali nafile u mëshirua nga ana e Allahut. Po ashtu në Haxh kush e kryen Haxhin pa grindje dhe sharje kthehet në shtëpi i falur prej mëkateve si atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.

Pra nuk kalon asnjë ditë prej jetës së muslimanit vetëm se në të ka mundësi që të veprojë vepra të mira të cilat e afrojnë kah Allahu. Prandaj, o muslimanë, falënderoni Allahun për këto begati dhe shfrytëzoni ato në nënshtrime ndaj Allahut dhe mos i humbni ato me mohim dhe shkujdesje.

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Related posts

SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

Irfan Jahiu

SHTATË VEPRA TË BARABARTË NË VLERË ME HAXHIN APO UMREN APO ME DYJA BASHKË

Irfan Jahiu

TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

Irfan Jahiu

PUSHIMI VEROR DHE UDHËTIMI

Irfan Jahiu

VIRTYTET E IMAM MALIKU

Irfan Jahiu

FUQIZIMI I VETËDIJES SË MBIKËQYRJES HYJNORE

Irfan Jahiu

TRI GJËRAT QË E PËRCJELLIN TË VDEKURIN!

Irfan Jahiu

TË KAPURIT PËR ADHURIME PAS RAMAZANIT

Irfan Jahiu

SUNETET E DITËS SË FITËR BAJRAMIT

Irfan Jahiu