Ekstremizmi laik rrezikon tolerancën

Shkruan për KosovaPost: Abdullah Klinaku

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të njohur për tolerancën midis feve, dhe në të njëjtën për tolerancën midis fetarëve dhe jo fetarëve. Kjo tolerancë dhe ky mirëkuptim është kultivuar nga myslimanët si shumicë. Toleranca, dialogu e mirëkuptimi është në dorën e  shumicës. Pakicës gjithmonë i konvenon një shumicë tolerante. Prandaj myslimanët janë kultivues të tolerancës si shumicë, ndërsa besimet e tjera si absorbues dhe bashkëpjesëmarrës në ruajtjen e tolerancës midis feve. Proceset historike të kombit tonë njohin hoxhë e prift të bashkuar në emër të Zotit për të mirën e Kombit. Dhe kjo panoramë e intelektualëve fetar është simbol i tolerancës dhe i mirëkuptimit ndërmjet feve te shqiptarët.

Tolerancën midis kombit tonë e kanë prishur dy ideologji. E para, qartazi, haptazi dhe me agjendë të ashpër politike e ideologjike për prishjen e tolerancës midis kombi tonë. Kjo ideologji është komunizmi. Komunizmi mbolli dhunshëm në trojet shqiptare sistemin anti – Fe dhe anti – Zot. Antifetarët u bënë ekstremist, sepse vranë, masakruan, izoluan, internuan e burgosën mijëra fetar të gjitha besimeve. Ekstremizmi komunist rrënoi e rrafshoi xhami, medrese. kisha, teqe e objekte të tjera fetare me qëllim të çrrënjosjes së besimit fetar në tokë. Ky ekstremizëm laik ishte ideologjia e parë që për shkak të fesë dhe besimit nxiti dhunën dhe vrasjen midis kombit tonë. Kjo ideologji përfundoi duke i lënë si të mbetur disa intelektual e mendimtar të demokratizuar dhunshëm por me bindje dhe mendje komuniste. Kjo strukturë intelektualësh, profesorësh, opinionistësh e mendimtarësh të demokratizuar dhunshëm për interesa nisi të mbjell një ekstremizëm tjetër anti – fetar e anti –Zot, në emër të demokracisë e që është laicizmi.

Në vendet laike të Evropës kemi pas se muslimanja me shami është mjeke, profesoreshë, police, intelektuale, gazetare, këshilltare, politikane madje thjeshtë qytetare e lirë. Krejt këtë  tolerancë e prish herë pas here islamofobia e kultivuar dhunshëm të këto kombe. Në këto vende qëndrimi kundër fetarëve dhe fesë nuk quhet laicizëm por quhet islamofobi. Prandaj tek ne shumë prej njerëzve qoftë me shkollë apo pa shkollë me qëndrimet e tyre kundër fesë nuk e mbrojnë laicizmin por e mbrojnë islamofobinë dhe si të tillë ata nuk janë sekular por janë islamofob.

Fatkeqësia jonë, është se kjo islamofobi dhe ky laicizëm janë duke na shndërruar në ekstremistë. Nxënësja me shami përjashtohet nga shkolla, mësuesja me shami largohet nga shkolla, punëtore e administratës me shami nuk mund të pranohesh, gruaja me shami paragjykohet dhe në përgjithësi mbjellët frik dhe urrejtje ndaj fetarëve. Kjo mendësi islamofobe, që thirret në emër të laicizmit, është duke u shndërruar në ekstremizëm laik. Dhe ky ekstremizëm është i shtrirë nëpër institucione, nëpër parti politike, nëpër media, nëpër shkrime, nëpër opinione, nëpër shkolla e universitete thjesht është i thelluar në krejt sistemin tonë shoqëror.

Ky ekstremizëm laik është duke e minuar paqen midis fetarëve dhe anti-fetarëve si dhe midis vet fetarëve. E para po mbjellët direkt si rezultat i sjelljeve të anti-fetarëve dhe ekstremizmit laik që ata kultivojnë. Ndërsa e dyta, vjen si rezultat i standardit të dyfishtë ndaj feve. Në Kosovë, mësuesja me shami e pengon sistemin, Tereza me shami e shenjtëron Kuvendin e Republikës. Gruaja me mbulesën islame paraqitet si rrezik, katolikja me mbulesë si shenjtore. Përçarjen midis tyre në mënyrë të pa ndershme po e fusin laikët. Kjo qëllimisht ndodhë me gjasë që ndërkohë kjo plasaritje midis feve të trajtohet si rrezik për kombin. Dhe shqiptarët do të mbesin midis dy zgjidhjeve të nisin konfliktin midis feve apo të largohen nga parimet fetare dhe të mbesin deklarativisht anëtarë të një feje të caktuar por jo praktikant.

Rezultati i tillë tregon për ekstremizmin laik që po kultivohet dhe për tendencën negative që ka ndaj Islamit. Fetarët, demokratët e mirëfilltë dhe tradicionalistët duhet të punojnë që kësaj rruge të keqe dhe kësaj tendence ti jepet përgjigja e merituar më punë dhe angazhim. Çdo njëri pre tyre që ndodhet në shkollim, në institucione, në parti politike, në shoqëri civile, në tregti e biznese duhet të luaj rolin e tij aktiv në parandalimin e thellimit të kësaj plasaritje. Ne nuk duhet të rrëmbehemi nga emocionet por as nuk duhet të jemi indiferent ndaj kësaj dukurie. Ne, duhet haptazi të punojmë që laicizmi ekstrem mos të jetë rruga e vendit tonë ashtu siç duhet të punojmë për çrrënjosjen e ideve anti fetare të komunizmit.

© KosovaPost.net Të gjitha të drejtat janë të rezervuara