E tërë mjekësia në gjysmën e një ajeti kuranor

Allahu i Lartësuar në një ajet kuranor ka thënë: “…Hani dhe pini, por mos e teproni…” (A’raf, 31).

Komentatori i njohur i Kur’anit, Kurtubiu i ka bërë një koment të shkëlqyer këtij ajeti, dhe pasi që përmend se ngrënia e tepërt është e papëlqyeshme fetarisht, ai prek edhe dobitë e të ngrënit pak, ku ndër të tjerash thotë: “Në të ngrënit e paktë ka shumë përfitime.

Kjo bën që trupi i njeriut të jetë më i shëndetshëm, kujtesa më e mirë, të kuptuarit më i qartë, nevoja për gjumë më e paktë…”
Më pas, ai përmend dëmet e të ngrënit tepër:
“Në të ngrënit e tepërt ka tejmbushje të stomakut e prishje të ushqimit të patretur. Kjo shkakton sëmundje të ndryshme, kështu që personi në fjalë kërkon më shumë kurim sesa ai që ha pak.”

Disa mjekë thonë: “Kurimi më i mirë qëndron te vlerësimi i përshtatshëm i ushqimit që konsumohet.”

Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., e ka shpjeguar këtë në mënyrë të plotë, që është e njëjtë me fjalën e mjekëve, kur ai thotë: “Biri i Ademit nuk mund të mbush enë më të keqe sesa stomakun e tij.

Është e mjaftueshme për birin e Ademit të hajë disa kafshata sa për ta mbajtur shpinën drejtë. Dhe nëse është e nevojshme për më shumë, atëherë të lërë një të tretën e stomakut për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për ajër.”