RTV Pendimi
Kompania Ziel Bau
Tribuna per Jetimat
Meso Kuranin
Auto Lider
Imani Probleme shpirtërore & shoqërore

DISA VEPRA TË CILAT E PRISHIN APO E MANGËSOJNË PËRSOSMËRINË E TEUHIDIT

Vëllezër muslimanë!

Vlera e teuhidit (njësimit të Allahut) është e madhe. Rruga e vetme e shpëtimit të robit në dynja, në varr dhe në ahiret është pastrimi i besimit prej idhujtarie dhe mbrojtja e tij prej çdo gjëje që e njollos apo e devijon natyrshmërinë e pastër të teuhidit. Me lejen e Allahut në këtë hutbe shkurtimisht do t’i paraqes disa prej veprave të cilat bien në kundërshtim me besimin e pastër duke e prishur apo mangësuar përsosmërinë e tij.
Prej veprave më të mëdha të cilat i veprojnë një numër i madh i muslimanëve dhe lëshojnë pe në to janë:

– Vajtja tek magjistarët dhe fallxhorët

Vajtja tek magjistarët dhe fallxhorët, parashtrimi i pyetjeve rreth fshehtësive dhe bindja në atë që e flasin rreth të ardhmes dhe fshehtësive është mëkat prej mëkateve të mëdha. Profeti, alejhi selam, thotë: “Kush shkon tek një magjistar apo fallxhor dhe i beson asaj që ai thotë, e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit, salallahu alejhi ue selem”.

Po ashtu Profeti, alejhi selam, thotë: “Kush shkon tek një magjistar për ta pyetur diçka, nuk i pranohet namazi dyzet net”.

Këto hadithe janë argumente të qarta se vajtja tek ata nuk lejohet dhe se fjalët me të cilat i pretendojnë fshehtësitë janë hedhje hipotezash dhe fjalë kuturu. Muslimani kur sprovohet shërimin e kërkon në ilaçe materiale dhe në ato morale. Prej ilaçeve morale është mendimi i mirë për Allahun, shpresa e mëshirës së Tij, mbështetja në Allahun, etj. Ndërsa prej ilaçeve materiale është shërimi me Kur’an, shërimi me dhikër dhe me lutje të caktuara, shërimi me preparate të cilat i ka cekur Allahu në Kur’an apo Profeti, alejhi selam, në hadithe si, mjalti, hurmat prej llojit Axhueh, kokrrat e zeza (Habetu Seuda), etj., dhe shërimi me ilaçe farmaceutike të njohura në mjekësi.

– Betimi jo në Allahun, por në dikë tjetër

Kohëve të fundit dëgjojmë një numër të konsiderueshëm të muslimanëve që betohen në dikë tjetër e jo në Allahun, betohen në Profetin, alejhi selam, në fëmijët e tyre, në prindërit e tyre, në jetën e tyre, vatanin e tyre apo nderin e tyre, etj. Këto shprehje në mesin e muslimanëve janë bërë shumë normale, por në fakt kjo është gabim i qartë dhe i madh.

Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ebu Daudi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith prej Sad ibën Ubejdeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Ibën Omeri e dëgjoi një njeri duke thënë: “Jo, pasha Qaben”. Ibën Omeri, Allahu e mëshiroftë, i tha: “Mos u beto në dikë tjetër përveç se në Allahun, se e kam dëgjuar Profetin, alejhi selam, duke thënë: “Kush betohet në dikë tjetër e jo në Allahun, ka bërë kufër ose shirk”.

Gjithashtu transmetohet se Profeti, alejhi selam, ka thënë: ‘‘Allahu ju ndaloi që të betoheni në baballarët e juaj, kush betohet le të betohet në Allahun ose le të heshtë”.

Burejda, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi selam, një hadith ku thotë: ”Kush betohet në amanet, nuk është prej neve”.

Prej citateve të lartpërmendura të gjithëve na qartësohet ndalesa e rreptë për betimin që bëhet jo në Allahun, por në dikë tjetër. Dijetarët e kanë qartësuar se dispozita e atij që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ndryshon sipas qëllimit dhe synimit të tij. Si të kishte qenë synimi i tij prej betimit se p.sh. Profeti, alejhi selam, është i barabartë me Allahun, atëherë kjo është shirk (politeizëm) i madh i cili nxjerr prej Islami. Po të mos kishte qenë barazimi synimi i tij prej betimit, atëherë kjo është shirk i vogël dhe mëkat i madh. Prandaj, detyrohet që t’i largohet këtyre llojeve të betimeve dhe të nxiton në pendim, duke qenë i këmbëngulur se nuk do t’i kthehet përsëri këtij mëkati.

– Zemërimi, demoralizimi dhe padurimi para fatkeqësive

Prej caktimit dhe urtësisë së Allahut është që njeriun ta godasin sprova të ndryshme, në vete, në familje, në fëmijë, etj. Në kësisoj raste muslimani detyrohet që të bëhet i durueshëm, të shpreson në shpërblimin e Allahut dhe mos të veprojë vepra të cilat aludojnë në zemërimin dhe pikëllimin e tij prej caktimit të Allahut. Prandaj, është mirë që në ato çaste t’i përdor shprehjet e duhura dhe të lejuara me Islam dhe ta ushtrojë gjuhën e tij në përdorimin e saj duke qenë edhe i vetëdijshëm me zemër për kuptimin e thelbit të saj. Shprehjen të cilën na udhëzoi Allahu që ta përdorin në raste fatkeqësish është thënia e Allahut, azze ue xhel: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (El-Bekare: 156)

Ndërsa në Sunet përcillet se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Shpejto në atë që ke dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u bën i pa aftë (mos u dorëzo). Nëse të godet diç (e pa dëshirueshme) mos thuaj: sikur ta kisha bërë këtë e këtë do të ishte kështu e ashtu, por thuaj: ky është caktim i Allahut dhe Ai vepron çka të do, ngase thënia sikur (ta bëja këtë…) hap derën e shejtanit”.

– Shfaqja e pesimizmit, zemërimit dhe ngushtimi i zemrës prej lindjes së fëmijës vajzë

Kjo cilësi është prej karakteristikave të periudhës së injorancës, para ardhjes së Islamit, për të cilën Allahu thotë: “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!” (En-Nahl: 58-59)

Muslimani duhet të jetë vigjilent prej veprimit të kësisoj veprave, ta falënderojë Allahun për begatinë e dhuruar, t’i rikujtojë njerëzit që janë të privuar prej kësaj begatie, të jep besën se do të punojë shumë në përmirësimin e pasardhësve, të bëjë durim në këtë rrugë të gjatë dhe të shpresojë në shpërblimin e Allahut: “Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta”. (Et-Tur: 21)

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi selam, se ka thënë: “Kush sprovohet me diçka nga këto vajza, e përkujdeset për to, do t’i jenë atij mbulesë në Ditën e Kiametit”.

– Lidhja dhe bartja e hajmalive dhe nuskave

Disa prej muslimanëve për shkak të injorancës së madhe që e posedojnë lidhin apo bartin hajmali, penj, lëkura në duart e tyre, në qafët e tyre, i vendojnë në veturat e tyre, në shtëpitë e tyre dhe pretendojnë se ato i largojnë fatkeqësitë dhe belatë dhe i mbrojnë prej tyre. Kjo pa dyshim se është prej mashtrimeve të shejtanit i cili tenton çdo çast që ta shfrytëzon në devijimin e bijve të Ademit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës”. (Er-Ra’d: 11)

Pra, këto gjëra ndalohet të merren si mjete preventive dhe ndalohet lidhja dhe bartja e tyre duke u bazuar në thënien e Profetit, alejhi selam: “Të fryrit (këtu është për qëllim të fryrit apo rukja e ndaluar e cila në vete përmban gjëra të ndaluara, e jo të fryrit sipas Sunetit), nuskat, hajmalitë (dhe çdo gjë e tillë), janë shirk”.

Këto gjëra nuk i sjellin aspak dobi, por i sjellin vetëm se dëm. Muslimani duhet t’i përdor lutjet e lejuara dhe t’i merr shkaqet e lejuara duke qenë gjithmonë i mbështetur në Allahun në të gjitha çështjet e tij. Kush i mbështetet Allahut i mjafton Ai, nuk ka mbështetës më të mirë: “Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf: 64)

Po ashtu prej veprave të cilat i veprojnë një numër i madh i muslimanëve dhe lëshojnë pe në to është edhe:

– Tallja, përqeshja dhe sarkazma me fenë e Allahut apo me diçka çka ndërlidhet me fenë e Tij

Prej mëkateve të mëdha që e nxjerrin muslimanin prej rrethit të Islamit dhe e bëjnë banorë të përhershëm të Xhehenemit, është tallja me Allahun ose me Profetin e Tij, alejhi selam, ose tallja me Kur’anin ose me besimtarët.

Sa muslimanë sot shqiptojnë fjali që i nxjerrin prej Islamit, e ata janë të pandjeshëm dhe të pavetëdijshëm për ato fjalë çka i flasin. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Profetin, alejhi selam, ka thënë: “Vërtet robi e thotë një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi fare dhe për shkak saj hidhet në zjarr të Xhehenemit nga një largësi sa lindja e perëndimi”.

Argument për ndalesën e talljes me fenë e Allahut e kemi fjalën e Allahut, azze ue xhel: “Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” (Et-Teube: 65)

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është ajo që e na përcjell imam Taberiu në tefsirin e tij prej ibën Omerit se një njeri në luftën e Tebukut tha: “Nuk kemi parë si ata lexues të Kur’anit (e kishte për qëllim sahabët), ata lakmojnë vetëm t’i mbushin barqet e tyre, kanë gjuhë rrenacake, dhe janë më frikacakët kur e takojnë armikun”. Tha njëri që ishte aty prezent: “Gënjen, ti me të vërtetë je munafik, do ta lajmëroj Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem”. U nis t’i tregojë, mirëpo Allahu e lajmëroi të Dërguarin e Tij para se të mbërrijë ky sahabij. Më vonë erdhi edhe ai që u tallte me ato fjalë te Profeti, alejhi selam, dhe tha: ”O i Dërguar i Allahut, ne me të vërtetë kalonim kohën duke bërë tallje. Ne nuk kishim për qëllim në të vërtetë talljen, por donim ta kalonim kohën dhe të lozim, t’i kalojmë lodhjet e rrugës”.

Thotë ibën Omeri, Allahu e mëshiroftë: “Atë njeri e shihja se si ishte varur pas devesë së Profetit, alejhi selam, ndërsa gurët ia godisnin këmbët, kurse ai thoshte: “O i Dërguar i Allahut, ne me të vërtetë kalonim kohën duke bërë tallje. Ne nuk kishim për qëllim në të vërtetë talljen, por donim ta kalonim kohën dhe të lozim, t’i kalojmë lodhjet e rrugës”. Ndërsa Profeti, alejhi selam, duke mos e kthyer fytyrën aspak kah ai, ia lexonte dhe përsëriste ajetin: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” (Et-Teube: 65)
Robër të Allahut!

Pozita e talljes me fenë e Allahut është e rrezikshme, ndërsa tallësi numërohet prej keqbërësve, ashtu siç na lajmëroi Allahu në Kur’an: “Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin, duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre”. (El-Mutafifin: 29-30)

Kërkoj prej Allahut që të na mbrojë prej çdo lloj talljeje me fenë e Tij dhe e lus që të na mëshirojë, të na shtojë diturinë, të na i fal mëkatet dhe të na mbrojë fenë tonë.

Shejh Abdulaziz Sed’han

Postimet e ngjajshme

PSE PIKËLLOHESH ?!

Irfan Jahiu

DURO, SEPSE KA ZOT!

Irfan Jahiu

DOBITË E SHOQËRISË SË MIRË

Irfan Jahiu

BUKURIA BURON NGA BRENDËSIA E SHPIRTIT

Irfan Jahiu

NËSE E DËSHIRON LUMTURINË NË ZEMËR

Irfan Jahiu

MOS U MËRZIT NGA KURTHET E NJERËZVE

Irfan Jahiu

KUR ZEMRA ËSHTË E LIDHUR ME ALLAHUN

Irfan Jahiu

ËMBËLSIA E IMANIT

Irfan Jahiu

DEDIKUAR TË SPROVUARVE DHE TË PIKËLLUARVE

Irfan Jahiu