Disa këshilla për të mbajtur në formë kujtesën

Disa këshilla për të mbajtur në formë kujtesën

Mendoni se kujtesa është gjithnjë aty dhe mund të aktivizohet sa herë që ju dëshironi. E keni gabim, ashtu si trupi apo çdo gjë tjetër ajo ka nevojë për kujdes

Vizualizmi është i rëndësishëm për t’iu rikthyer shpesh kujtesës, e është një formë ushtrimi që këshillohet nga psikoterapistët.

Të vizualizosh është një lloj si të pikturosh një pikturë në mendjen tënde: në radhë të parë duhet të vëzhgosh me kujdes, pra të përpiqesh të kapësh sa më shumë hollësira të një objekti, të një skene, të një njeriu, dhe pastaj të projektosh nëpërmjet mendjes, një figurë, që është realiteti që kemi vëzhguar, përmes “një pune” që duhet të ketë një zgjatje kohe prej 10 sekondash.

Ekzistojnë disa karakteristika të përfytyrimit që duhen mbajtur parasysh, nëse përpiqemi të favorizojmë këtë lloj funksioni mendor.

– Mendimet konkrete kujtohen më me lehtësi sesa ato abstraktet, sepse gjithçka që është konkrete është më afër ndijimeve tona dhe pra më e drejtpërdrejtë.

– Idetë dhe përshtypjet abstrakte mund të shndërrohen në forma konkrete përmes imazheve: p.sh, një muzikë që shkakton emocione të dhimbshme është e kuqe, një muzikë e ftohtë është blu.

– Imazhet që lidhen me emocione, të kujtohen më fort, sepse janë të lidhura me përvoja të “nxehta”.

– Imazhet që lidhen me probleme vetjake, kanë një ndikim më të madh, emotiv.

Po ju japim disa ushtrime imagjinate dhe vizualizmi, të cilat janë të dobishme për të forcuar kujtesën në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke mos vepruar mbi një “muskul” specifik por mbi gjithë formën fizike, njësoj siç ndodh me një tenist, i cili e përmirëson rendimentin e vet edhe përmes vrapit, ngritjes së peshave, ushtrimeve të lira.

Për të vizualizuar diçka, është e nevojshme një sforcim i vogël krijues: edhe pse ky ushtrim mund të duket shumë i rëndomtë, mos u zmbrapsni, mendoni për “projektuesit” që shesin imazhet e prodhuara e tyre ose programojnë sekuenca imazhesh në vidioklipe…

Ushtrimi 1

Ky ushtrim është i përshtatshëm për moshën e tretë, sepse aktivizojnë si pamjen dhe emocionin që varen nga hemisfera e djathtë, që është më pak e përdorur sesa e majta.

Përfytyroni:

Një mace që fle
Një rrugë të përmbytur nga uji
Borën që ka mbuluar qytetin
Kohën që kalon ngadalë

Humorin

Ushtrimet e imagjinatës që mbartin brenda vetes emocion, mbahen mend mirë.

Ushtrimi 2

Përfytyroni me sy mbyllur:

Një vetëtimë në terrin e natës
Një thikë që shndrin në errësirë
Takimin me njeriun që doni
Një shoqe që rrëmon në kuletën tuaj dhe ju vjedh
Një njollë te fustani juaj më i mirë

Pa e rilexuar, shkruani tani tek një letër çfarë kujtoni, më pas shqyrtoni emocionet që kanë shkaktuar tek ju këto imazhe, të mendjes dhe në fund përqasni listën tuaj me atë origjinale. Cilat imazhe janë fiksuar më mirë në mendjen tuaj?

Por mund të realizoni dhe ushtrime përmes vizualizimit:

Ushtrimi 3

Realiteti pamor mund të riprodhohet përmes kujtimeve të gjalla dhe të hollësishme.

Zgjidhni një figurë te një libër apo te një revistë Vëzhgojeni me vëmendje të paktën për një minutë duke ndalur te ngjyra apo forma, pastaj mbyllni sytë dhe përpiquni të rikrijoni në mëndje figurën: pa dyshim që ajo do të jetë ndryshe nga figura reale.

Duke e përsëritur disa herë këtë ushtrim, mund të arrini të përmirësoni mjaft aftësinë për të vizualizuar atë që keni vërejtur, duke rikujtuar gjithmonë e më shpejt një numër më të madh hollësirash. /Telegrafi/